Foto simbolikeSulmi me dron në tregun e Abyeit vret të paktën 153 persona
Një sulm me dron në tregun Amiet në rajonin e kontestuar të Abyeit vrau të hënën të paktën 153 persona. Sudani i Jugut fajëson ushtrinë sudaneze, e cila thotë se synonte cisterna karburanti.
Të martën, ministri në detyrë i informacionit i Abyeit, Yohanna Akol Ngor, tha se numri i viktimave nga sulmi i së hënës, 19 tetor, u rrit nga 73 në 153 dhe me gjasë do të rritet, pasi zjarret vazhdonin dhe disa trupa ishin shndërruar në hi. Ai fajësoi ushtrinë sudaneze dhe mohoi pretendimin e zyrtarëve sudanezë se Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) janë aktive në Abyei. Një oficer i lartë sudanez i tha AP-së, në anonimat, se ushtria goditi cisterna karburanti nga Sudani i Jugut, të destinuara për RSF, dhe se të vdekurit ishin anëtarë të RSF-së dhe kontrabandistë karburanti. Diplomatët i thanë Reuters se goditja preku një depo që RSF e kishte përdorur më parë.
Sudani i Jugut proteston
Ministria e Jashtme e Sudanit të Jugut thirri ambasadorin sudanez dhe i bëri thirrje Sudanit të përmbahet nga veprime që rrezikojnë civilët, duke thënë se dronët goditën disa pika të tregut. Sudani i Jugut thotë se nuk ka zënë anë, por sipas diplomatëve Abyei është një rrugë kyçe për karburantin e RSF-së.
Reagojnë OKB dhe MSF
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, dënoi sulmet me dron pranë tregut Amiet dhe në Todach, duke thënë se u vranë dhjetëra civilë, mes tyre gra e fëmijë, por pa emëruar autorin. Mjekët pa Kufij (MSF) thanë se po trajtojnë mbi 20 të plagosur, disa me djegie të rënda.