Foto simbolikeSulmi i RSF vret të paktën 14 civilë në Kordofanin e Veriut
Forcat sudaneze të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) sulmuan të premten qytetin Umm Arda në Kordofanin e Veriut, duke vrarë të paktën 14 civilë. Paramilitarët thonë se e morën qytetin, ndërsa ushtria thotë se i zmbrapsi.
Emergency Lawyers, një grup avokatësh prodemokratikë, tha se sulmi ndaj qytetit rreth 200 kilometra në jug të Khartumit plagosi gjithashtu dhjetëra persona dhe nxiti një valë zhvendosjesh. Më herët të premten, më 14 gusht, RSF njoftoi se kontrollonte Umm Ardën, duke e cilësuar këtë një kthesë të madhe në terren. Një burim i ushtrisë i tha AFP-së se trupat kishin zmbrapsur dy sulme, në Umm Arda dhe në Jabal Al-Hashaba, duke u shkaktuar humbje paramilitarëve. AFP tha se nuk mund të verifikonte rrjedhën dhe përfundimin e luftimeve, duke përmendur vështirësitë e aksesit dhe ndërprerjet e rrjeteve të komunikimit.
40 mijë fëmijë ikën drejt El Obeidit
Save the Children tha të premten se rreth 40 mijë fëmijë kishin ikur nga luftimet në Kordofanin e Veriut drejt El Obeidit, në perëndim të Umm Ardës, dhe paralajmëroi për një rritje të ndjeshme të kequshqyerjes te fëmijët. Emergency Lawyers tha se ndihma humanitare është pezulluar në disa zona tashmë nën rrethim dhe pa shërbime bazë.
El Obeidi si objektivi i radhës
New York Times shkruan se marrja e El Obeidit do t'i lejonte RSF-së të konsolidonte kontrollin mbi Sudanin perëndimor. Sipas Le Monde, ushtria kontrollon qendrën dhe lindjen e vendit, ndërsa RSF mban Darfurin dhe pjesë të jugut.
Viti i katërt i luftës
Punonjësit humanitarë e vlerësojnë numrin e të vdekurve që nga prilli 2023 në më shumë se 200 mijë, ndërsa mbi 12 milionë njerëz janë zhvendosur, në atë që OKB-ja e quan krizën humanitare më të rëndë në botë.