Foto simbolikePolonia thotë se sulmi kibernetik vodhi të dhënat mjekësore të 19 milionë personave
Një sulm kibernetik ndaj një ofruesi polak të softuerit mjekësor ka ekspozuar të dhëna personale dhe shëndetësore të gati 19 milionë personave. Autoritetet polake e bënë publik rastin të mërkurën.
Ministri i digjitalizimit, Krzysztof Gawkowski, e njoftoi sulmin të mërkurën, 12 gusht, duke e cilësuar një nga incidentet më të mëdha të sigurisë kibernetike të regjistruara ndonjëherë në vendin me 37 milionë banorë. Sulmuesit morën rreth dy terabajt materiale nga ofruesi i softuerit mjekësor, përfshirë të dhëna për konsultat, recetat dhe dokumente të tjera të përdorura në ndjekjen e pacientëve. Gawkowski tha se deri tani asgjë nuk tregon për një sulm nga Rusia apo ndonjë shtet tjetër dhe se gjetjet e para çojnë te kriminelë kibernetikë me motive financiare. Ai përjashtoi pagesën e çdo shpërblimi dhe premtoi t'i ndjekë autorët „pa pushim“.
Si mund të verifikohen të prekurit
Rreth 12 000 institucione mjekësore përdornin shërbimet e kompanisë së sulmuar. Gawkowski tha se lloji dhe sasia e të dhënave të komprometuara ndryshojnë nga personi në person dhe njoftoi një shërbim që u mundëson qytetarëve të verifikojnë nëse të dhënat e tyre janë vjedhur.